Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Konferenca Ministrore e Ballkanit Perëndimor: Cilësia dhe Sigurimi i Cilësisë në Arsimin e Lartë – Tendencat dhe Zhvillimet në BE dhe Ballkanin Perëndimor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Sekretariatin e Iniciativës për Reforma Arsimore të Evropës Juglindore (ERI SEE), me pjesëmarrjen e disa ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë qeveritarë, përfaqësues të institucioneve kompetente, akademikë dhe ekspertë nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian (BE) organizoi konferencën “Cilësia dhe Sigurimi i Cilësisë në Arsimin e Lartë – Tendencat dhe Zhvillimet në BE dhe Ballkanin Perëndimor”, më 26 dhe 27 shtator 2023, në Shkup.

Mbi 80 pjesëmarrës në konferencë diskutuan me këtë rast për cilësinë dhe sigurimin e cilësisë së arsimit të lartë në rajon dhe hapat që duhen ndërmarrë për rritjen e tij.

“Arsimi është një gjë e gjallë që ndryshon vazhdimisht në përshtatje me faktorë dhe trende të shumta sociale dhe globale, ndaj ne duhet t'i përshtasim sistemet me këto ndryshime”, tha z. Jeton Shaqiri, Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në fjalën e tij hyrëse.

Ngjarja dyditore, e ndarë në disa panele përfshinte prezantime nga ekspertë të nivelit të lartë evropian, diskutime në panel me politikëbërës dhe përfaqësues të institucioneve kyçe kompetente për sigurimin e cilësisë në Ballkanin Perëndimor, ekspertë evropianë dhe rajonalë nga akademia, seminare, si dhe vizita studimore në Universitetin “Kiril” dhe “Metod” si dhe në Universitetin Ndërkombëtar të Ballkanit në Shkup.

Drejtoresha e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, Znj. Xhiliola Bixheku,në Panelin e Dytë, iu përgjigj pyetjeve mbi sfidat që i duhet të përballojë kjo Agjenci në kuadër të punës së vazhdueshme për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Ndërmjet të tjerash Znj. Bixheku u shpreh se: “Sfida jonë më e madhe ngelet anëtarësimi në ENQA. Kjo kërkon përkushtim dhe angazhim serioz në përditësimin dhe në ngritjen e nivelit të cilësisë në përputhje me kriteret dhe standarded evropiane”. Gjithashtu, Znj. Bixheku përmendi bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në 3 (tre) vitet e fundit për të plotësuar dhe përshtatur aktet nënligjore rregullatore të ASCAL sipas kërkesave të ENQA.

2

3

4

5

6

7

8

9

10

11